Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, i prin listës prej 40 sportistëve për Lojërat Mesdhetare Oran 2022

Ekipi mesdhetar i Kosovës do të përbëhet nga 40 sportistë të 13 sporteve të ndryshme për Lojërat Mesdhetare Oran 2022, të cilat prej 25 qershor deri më 6 korrik 2022, do të mbahen në qytetin e Oranit të Algjerisë.

Listës i prinë kampionia olimpike, xhudistja, Distria Krasniqi. Nga xhudo janë edhe më së shumti sportistë, gjithsej tetë. Krahas Krasniqit, nga sporti më i suksesshëm në vend, janë edhe kampioni i Evropës 2021, Akil Gjakova, medalistja e bronztë e botës 2019, Loriana Kuka, nënkampionia e Evropës 2022, Laura Fazliu, derisa shkaku i lëndimit mungon kampionia olimpike, Nora Gjakova.

Boksin do ta përfaqësojnë pesë garues, ndërsa veçohet pjesëmarrja e Donjeta Sadikut, e cila muajin e kaluar fitoi medaljen e bronztë të botës.

Listës prej pesë karateistëve i prinë, Elhami Shabani, që së fundi fitoi medaljen e bronztë të Evropës, ndërsa nga mundja është vendi i shtatë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, Egzon Shala.

Kampioni i Evropës për grupmoshën U-20, në hedhjen e gjyles, Muhamet Ramadani, përfaqëson atletikën bashkë me tre garues tjerë.

Në Oran do të përfaqësohen edhe sportet si: noti (dy), taekwondo (dy), shigjetaria (tre), shenjëtaria sportive (dy), tenisi, pingpongu (dy), gjimnastika (dy) dhe badmintoni (një).

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka thënë se Oran 2022 është mundësi e mirë që edhe sportet tjera të fitojnë medalje.

Lini një koment

Design a site like this with WordPress.com
Fillojani